Kundërshtari i Dritës, Royal Antwerp është ankuar në çmimin e lartë të të drejtave televizive që ia ka vendosur një agjenci kosovare e marketingut.
Klubi belg ka dështuar t’i sigurojë të drejtat televizive për transmetimin e ndeshjeve në platformat e saj online, për shkak të – siç kanë thënë ata – çmimit të paarsyeshëm të një agjencie në Kosovë, emrin e të cilës nuk e kanë bërë të ditur.
Sipas njoftimit të Royal Antwerp, transmetuesi i kontraktuar nga Drita ka kërkuar një shumë më të madhe parash se sa zakonisht kërkohet në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Ligën e Konferencës, raporton Paparaci.
“Ndeshja e kthimit nuk do të ndiqet në Belgjikë me një transmetim zyrtar të drejtpërdrejtë. Antwerp më kot ka tentuar të arrijë marrëveshje me mbajtësin e të drejtave kosovare.
“Ajo agjenci kërkon shumë para për të transmetuar ndeshjen në Belgjikë, shumë më tepër se zakonisht për një ndeshje të raundit paraprak në UEFA Europa Conference League. Bartësi i të drejtave gjithmonë i ka refuzuar propozime tona”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ndeshja e Dritës në udhëtim drejt Antwerpit nuk ishte transmetuar nga asnjë kanal televiziv shqiptar, mirëpo ndeshja ishte transmetuar direkt në faqen zyrtare të klubit belg, e cila ka qenë e qasshme për të gjithë shikuesit.
Drita dhe Antwerpi do të takohen të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:00, ndërsa do të transmetohet në SuperSport 1, pjesë e platformës DigitAlb.