Shitja e biletave online po del të jetë akoma problem i pa zgjidhur për Federatën e Futbollit të Kosovës. Një numër i konsiderueshëm tifozësh kanë mbetur pa bileta në dy ndeshjet e fundit, ani pse të njëjtit kanë paguar për to.
Ndeshja finale e Kupës së Kosovës mes Dritës dhe Llapit shënoi takimin e parë në futbollin kosovar ku shitja e biletave u krye përmes sistemit online, mirëpo jo gjithçka shkoi sipas planit të FFK-së.
Shumë tifozë kishin mbetur jashtë stadiumit “Fadil Vokrri” edhe pse kishin shpenzuar të hollat e tyre për bileta, mirëpo për shkak të mangësive në sistem të njëjtit nuk kishin pranuar biletat e paguara.
I njëjti problem është shfaqur edhe në ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve.
Të enjten, FFK-ja njoftoi se faqja për blerjen e biletave online për ndeshjen Kosovë-Greqi ishte hapur.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se biletat për ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë që zhvillohet të dielën, me datë 05/06/2022, në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, mund të blihen përmes platformës online”, thuhej në njoftimin e FFK-së
Mirëpo nuk vonoi shumë dhe faqja për shitblerjen e biletave nuk funksioni. Ani pse ky problem u rregullua më vonë, shumë tifozë janë përballur me probleme tjera.
Adhuruesit e kombëtares kanë paguar biletat, por të njëjtit pretendojnë se nuk i kanë pranuar ato, teksa ky problem është rastisur te një numër i konsiderueshëm i tyre.
Edonit Rexhepi është njëri prej tifozëve që ka paguar për bileta, por që thotë se nuk i ka pranuar të njëjtat.
Rexhepi ka thënë se ka paguar 40 euro për katër bileta por edhe pse i ka shpenzuar të hollat ai nuk i ka pranuar biletat e ndeshjes.
I njëjti ka pranuar se ka kontaktuar me FFK-në, mirëpo edhe pas dy ditësh, akoma nuk ka pranuar ndonjë përgjigje apo rimburësim të të hollave. Ndërsa ndeshjen pritet ta ndjek nga një lokacion tjetër, jo nga “Fadil Vokrri” ashtu siç e kishte planifikuar.
Paparaci ka kontaktuar me Federatën e Futbollit të Kosovës për të marrë një përgjigje rreth pretendimeve të futbolldashësve të cilët edhe pse paguan biletat nuk i morën ato.
Mirëpo, nga ky institucion nuk kanë thyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.
Pas problemeve që kishte hasur FFK-ja në të kaluarën me sistemin e shitblerjes së biletave, ku shumë njerëz nuk mund të qaseshin në sistem, federata kishte ndërprerë bashkëpunimin me kompanitë: ‘Alt 4’ dhe ‘Tiks.app’.
Më 24 shkurt të këtij viti, FFK-ja nënshkroi marrëveshje me kompaninë turke “E-kent”, kompani kjo e specializuar për shitblerjen online të biletave, mirëpo po del se problemet akoma nuk janë zgjidhur.