Trajneri më i ri i Prishtinës, Ismet Munishi në një prononcim për Gazeta Metro në mënyrë ‘komike’ ka thënë se do ta ketë rrogën tek kryeqytetasit sa të një shoferi të Ministrisë, ndërsa pret edhe nga lojtarët që të reflektojnë, transmeton Gazeta Metro.
Një ndër trajnerët më të mëdhenj në Kosovë, Ismet Munishi u emërua ditën e djeshme trajner i Prishtinës. Konfirmimi nga ana e tij ishte epik pasi që ndryshoi fotografinë e profilit në Facebook, duke e vendosur logon e tifogrupit ‘Plisat’.
Ai për Metron ka thënë se drejtuesit e skuadrës janë në gjendje të paguajnë lojtarë vetëm për shumën që janë marrë vesh në fillim dhe gjithashtu duhet të jetë në raport me nivelin e lojtarëve në ekip.
”Unë nuk jam ardhur me ngritjen e pagës tek Prishtina pasi që e kam rrogën e një shoferi të Ministrisë dhe pres edhe nga të tjerët të reflektojnë dhe kush nuk reflekton nuk është në planet tona sepse ne nuk mundemi të paguajmë, paga stratosferike. Ne jemi në gjendje tash e tutje të paguajmë atë që merremi vesh, mirëpo të jetë në raport me gjendjen në klub dhe në raport me nivelin e lojtarëve në ekip,” tha ai.
Ndër të tjera 47-vjeçari e përmendi edhe një thënie të tifozëve ‘Plisat’ për të cilën thotë se i ka pëlqyer shumë kur ka qenë kundërshtar i Prishtinës.
”Tifogrupi Plisat e kanë një thënie që mu më ka pëlqyer shumë kur kemi qenë kundërshtar. ‘Nëse ski zemër ik prej Prishtinës’ dhe kush nuk ka zemër le të ikë prej Prishtinës dhe të mos më pret aty hiq,” theksoi për Metron Ismet Munishi.
Kujtojmë që Prishtina edicionin e kaluar përfundoi në pozitën e pestë me 51 pikë dhe ishte një ndër sezonet më të dobët të klubit që nga pas lufta, ku deri në javën e fundit si asnjëherë më parë rrezikoi edhe barazhin. Mirëpo, mbetet të shihet nëse tandemi mes Munishit dhe Prishtinës mund të rikthejë buzëqeshjen përsëri në kryeqytet.