Mbrojtësi i Dukagjinit, Ilir Syla në një prononcim për Gazeta Metro ka folur rreth duelit kundër Prishtinës që do të luhet nesër me fillim nga ora 15:00. Ai e ka cilësuar një sfidë të vështirë përballjen kundër kryeqytetasve, mirëpo beson që në fund do të dalin me një rezultat pozitiv, transmeton Gazeta Metro.
Mbrojtësi i Dukagjinit, Ilir Syla ka thënë se duke marrë parasysh që Prishtina këtë edicion si vendase ka treguar formë të mirë nuk do të jetë e lehtë të marrin tre pikët, por me formën që po kalojnë javët e fundit mendon se në fund do të dalin të kënaqur nga ky duel.
”Një ndeshje mjaft e vështirë, tu e marrë parasysh se Prishtina si vendase ka tregu formë të mirë dhe stabilitet mirëpo me formën e ekipës ton atmosferën në klub si dhe me punën që janë duke bërë shtabi teknik mendoj që nesër nga stadiumi Fadil Vokrri dalim me një rezultat pozitiv,” tha ai për Metron.
Dukagjini në tre takimet e fundit në elitën e futbollit kosovar ka arritur të marr pikët maksimale në ndeshjet kundër Feronikelit, Gjilanit dhe Drenicës. Për këtë ecuri të mrekullueshme javët e fundit, Syla tha që rikthimi i disa lojtarëve nga lëndimi dhe nevoja për pikë ka bërë që këto javët e fundit të kanë rezultate pozitive.
”Me rikthimin e disa lëndimeve që kemi pasur me kompletimin e skuadrës, formën e mirë të lojtarëve dhe më e rëndësishmja që ekipi ka kuptuar gjendjen ku ka qenë dhe nevoja për pikë ka bërë që këto javët e fundit të kemi rezultate pozitive,” tha Syla.
Klinasit gjenden në pozitën e gjashtë në tabelë me 39 pikë dy më shumë se Malisheva e cila është në vendin e tetë, pozitë e cila të dërgon në barazh, kurse Prishtina është në vendin e pestë me 42 pikë dhe pritet të jetë një ndeshje shumë interesante nesër në stadiumin ‘Fadil Vokrri.