Eroll Salihu e ka vlerësuar të paligjshëm vendimin e Komisionit të Garave të Superligës dhe Ligës së Parë për inicimet disiplinore ndaj tij, ndaj drejtorit sportiv të Dritës, Valon Zymberi dhe drejtorit sportiv të Drenicës, Taulant Dajaku.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Salihu, nuk e ka pranuar vendimin e këtij organi të FFK-së. Madje Salihu thotë se prapa vendimit qëndron kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
Salihun më herët e kishte pezulluar Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
“Kjo është farsë e Agim Ademit, ai nuk di asgjë. Ata mendojnë se dinë diçka, por nuk dinë asgjë. Unë jam suspenduar dhe ku ka dënim mbi dënim. Tash së shpejti do t’i dalin gjërat ashtu siç po i dalin. Është vendim i paligjshëm. Po iniciohet procedurë pas një muaji e gjysmë. Ka qëllim të keq. Nuk do t’i dalë mirë për arsye se po bëhet gjithçka për të eliminuar persona. Kjo është shkelje mbi shkelje. Unë i qëndroj prapa asaj që kam thënë gjithmonë, madje edhe po përforcohet më shumë”, ka thënë Salihu të martën për KOHËN.
Ndaj Salihut është iniciuar procedurë për shpifje, nënçmim, dezinformim dhe diskreditim ndaj organeve të FFK-së dhe UEFA-s. /Koha.net/