Tashmë i zgjedhur në mandatin e dytë në krye të federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një intervistë në emisionin N’Konak me Islam Morinën, ka treguar edhe për lidhjen e tij me biznesin dhe se kur ka filluar të merret ai me biznes, duke treguar edhe se cilat janë veprimtaritë biznesore më të cilat ai është marrë.
“Po në fakt unë e kam filluar biznesin më herët edhe sa kam qenë në shkollë të mesme, thënë të drejtën kam punuar dhe jam marrë nga pak me biznes në atë kohë, për do mjete më shumë ka qenë pjesë e tregtisë ajo, për faktin që disa gjëra që këtu nuk kanë ekzistuar ose kanë munguar nga bota e jashtme nga perëndimi. E kam pasur luksin me dalë jashtë më herët dhe realisht kam sjellë shumë gjëra të atëhershme që i duheshin rinisë edhe për veshmbathje, tekstil, teknikë. Më pastaj edhe me pjesë të veturave kam punuar shumë. Për atë kohë ka qenë biznes fitimprurës dhe biznes shumë i mirë për faktin që ka pasur makina këtu, por kanë munguar pjesët origjinale të makinave të ndryshme, të atëhershme sidomos të familjes së Volkswagenit dhe Mercedesit, me këto kam punuar më së shumti dhe Audi”, ka treguar Ademi lidhjen e tij me biznesin.
Por ai ka treguar se ka punuar edhe me biznesin e ndërtimeve, ku ka thënë se ndihet mirë për faktin se edhe në këtë lëmi nuk ka pasur telashe të asnjë lloj natyre.
“Kam punuar më pastaj me ndërtim. Kështu që kam vazhduar me ndërtim. E kam një histori të mirë me ndërtim dhe jam i lumtur që e kam atë histori të mirë. I lumtur jam për faktin që nuk më ka ndodhur asnjë punëtor as të më lëndohet. Kjo ka qenë ajo pjesa kryesore që unë e kam dashtë. Më pastaj nuk kam asnjë periudhë që në asnjë moment që kam qenë në gjyq me dikënd që kam pasë mosmarrëveshje. Nuk është që është bërë punë e vogël, kam gogja shumë ndërtime që i kam bërë këtu, por realisht asnjë problem të vetmin nuk e kam pasë deri më sot”, ka treguar në emisionin N’Konak, në RTV Dukagjini, prodhim i Gazetës Infokus, presidenti i FFK-së Agim Ademi./Gazeta Infokus/
Emisioni i plotë: