Skuadra e Ballkanit edhe matematikisht tashmë është kampion i Superligës së Kosovës për edicionin 2021/22. Për të arritur deri tek ky sukses është dashur shumë punë, mund dhe sakrifica që në fund u shpërblye në mënyrën më të mirë të mundshme, transmeton Gazeta Metro.
Në këtë artikull do të shpjegojmë në mënyrë të shkurtë se si klubi nga Suhareka, që nga inkuadrimi i saj në Superligën e Kosovës në vitin 2018/19 arriti të shpallej kampion për herë të parë në historinë e saj, vetëm pas katër viteve.
Ishte sezoni i vitit 2017/18 atë kohë, Ballkani luante në Ligën e Parë të Kosovës dhe pas 30 ndeshjeve në fund arkëtoj 67 pikë të cilat ishin të mjaftueshme për tu renditur në pozitën e dytë dhe të siguronte inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar.
Është një ligj i pa shkruar në futbollin e Kosovës, pasi që tradicionalisht ekipet që vijnë nga Liga e Parë, ndoshta nga euforia apo dallimi i madh mes dy ligave, bën që të kenë vështirësi në edicionin e tyre të parë në Superligë.
Kjo e përcolli edhe Ballkanin e cila u rendit në pozitën e tetë me 43 pikë, një më shumë se Trepça ‘89 e cila përfundoi në barazh. Megjithatë, suharekasit nuk është që kishin bërë edhe një sezon të keq sepse diferenca mes ekipeve nuk kishte qenë edhe e madhe. Përveç Feronikelit, Prishtinës dhe Llapit të cilat u renditen në tre vendet e para. Se për pak harruam edhe Kek’ut por kjo përfundoi e fundit me vetëm një pikë.
Vlen të theksohet se në këtë edicion shpërtheu dhe lindi një ndër sulmuesit më të talentuar viteve të fundit në Kosovë, Jetmir Topalli i cili realizoi hiç më pak se 11 si një 21 vjeçar që ishte.
Sezoni 2019/20, sezon në të cilën Drita u shpall kampion, vetëm nëse ju kujtohet dhe pyesni ndokënd që e ka përcjellë futbollin kosovar atë vit, ishte Ballkani ajo që luajti lojën më të bukur ( pa dashur të ja humb meritat Dritës). Suharekasit arkëtuan në fund 67 pikë dhe u renditën në vendin e tretë, ku vetëm një pikë më shumë kishin dy ekipet nga Gjilani.
Kujtojmë se në këtë vit në Suharekë erdhën edhe futbollistë të cilët patën impakt shumë të madh pastaj si Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Kushtrim Gashi, Ermal Krasniqi e shumë të tjerë dhe shihej se klubi kishte projekt gjigant drejt vetes për ta zbatuar. Edhe këtë vit u zbulua një super futbollist dhe ai ishte Blendi Baftiu i cili shënoi 19 gola dhe ishte golashënuesi më i mirë.
Pritej të ishte viti i lavdisë, titulli dukej më afër se kurrë më parë. Afrime të shumta gjatë verës me futbollistë nga liga e Shqipërisë si Nazmi Gripshi e Bajram Jashanica për të cilët thuhet se është paguar edhe dëmshpërblim drejt Skënderbeut. Në Suharekë shkuan edhe dy ish-lojtarët e Prishtinës, Armend Thaqi dhe Meriton Korenica, por përsëri objektivi kryesor dhe ajo që e dëshironin më së shumti nuk u arrit, TITULLI.
Rekordet i mbanin, golashënuesin rekord e kishin Mirlind Dakun me 31 gola, sulmin më të mirë e kishin por disa gabime në fund dhe ëndrra e titullit mori fund.
Ëndrra nuk u ndal, ëndrra vazhdoi dhe ëndrra u bë realitet këtë sezon. Viti i shumëpritur erdhi dhe tani ‘nuk e lëshuan bajrakun’ por e mbajtën deri në fund me plot meritë. Dje u shpallën kampion pas barazimit mes Dritës dhe Gjilanit me rezultat 0-0.
Reagime të shumta nga të gjithë lojtarët e klubit në rrjetet e tyre sociale, nga presidenti, Arsim Kabashi pa të cilin nuk do të ishte e mundur, nga stafi i klubit e deri tek Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj. Edhe urimet nuk munguan qoftë nga ish-lojtarë e tani kundërshtar, por edhe nga ekipe që besoj se thellë e dinë që ishte titull shumë i merituar.
Prova e parë kaloi, por tani është koha të fillojnë të mendojnë për garat europiane dhe ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë. Për fund ky shkrim do të ishte ‘i thatë’ pa përmendur edhe trajnerin, Ilir Daja i cili ka edhe ai meritë shumë të madhe në ‘tortën e madhe’.