Kombëtarja e Kosovës nesër në ‘Fadil Vokrri’ zhvillon ndeshjen e saj të tretë në Ligën e Kombeve dhe do të takohet me Irlandën Veriore. Megjithatë, kësaj kombëtare në vitin 1987 i kishte realizuar dy gola edhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili për koincidencë ka edhe përvjetorin e vdekjes nesër, transmeton Gazeta Metro.
Ishte 14 tetori i vitit 1987 dhe atë kohë ishin duke u luajtur kualifikimet për Kampionatin Europian të vitit 1988. Jugosllavia kishte përball Irlandën Veriore në ndeshjen e saj të katërt dhe nga minuta e parë do të fillonte takimin i ndjeri, Fadil Vokrri.
Ai në fund u bë figura kryesore e atij takimi, ku në fund Jugosllavia shënoi fitore me rezultat të thellë 3-0 dhe më meritori ishte Vokrri, i cili kishte realizuar dy gola.
Të parin gol e kishte shënuar në minutën e 12’të, ku pas një ‘mashtrimi’ fantastik që i bëri kundërshtarit, goditi drejt portës dhe me ndihmën e shtyllës kishte shënuar golin e epërsisë.
Por, goli i dytë i realizuar nga legjenda kosovare kishte qenë i jashtëzakonshëm, pasi me një qetësi të hatashme pranon topin dhe godet drejt portës nga jashtë zonës, ku portieri kundërshtar përkundër mundit që kishte bërë, mund të shihte pas disa sekondash vetëm duke festuar tashmë të ndjerin.
Lidhur me këtë Gazeta Metro ka kontaktuar edhe me një ndër njerëzit më të afërt që e kishte pasur ai, Eroll Salihun, i cili tha se këtë takim e kishin shikuar të gjithë shqiptarët, ndërsa kishte mbetur i mahnitur kur e kishte parë golin e dytë.
”Ndeshjen e kemi shikuar të gjithë shqiptarët sepse Fadil Vokrri ishte i vetmi shqiptar që për 40 vite kishte luajtur për Jugosllavinë. Të dy golat ishin maestral, por i dyti nga 17 metra kishte qenë i mrekullueshëm me një precizion dhe shpejtësi të hatashme,” tha Salihu për Metron.
Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk është ballafaquar ndaj Irlandës Veriore, mirëpo këta të fundit me gjasë duhet ta mbajnë mend shumë mirë ish-Kryetarin e FFK’së, Fadil Vokrrin, i cili në sfidën e luajtur në Sarajevë kishte bërë mijëra shqiptarë të bëhen krenar me të.
Ndeshja e nesërme kundër Irlandës Veriore do të thotë shumë për ‘Dardanët’, të cilët duhen patjetër të shënojnë fitore, nëse dëshirojnë të besojnë se munden ende të dalin të parët në grup. Por, kjo fitore nëse arrihet duhet t’i dedikohet vetëm një njeriu dhe ai është Fadil Vokrri.