Ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare Joachim Streich, sulmuesi më i mirë në historinë e Gjermanisë Lindore. Lajmi raportohet nga ish-klubi i tij, Magdeburg, me fanellën e të cilit Streich shënoi 223 gola në 321 ndeshje, me një mesatare prej 1.4 gola për ndeshje nga 1975 deri në 1985.
Me fanellën e Gjermanisë Lindorë ai ka shënuar 55 herë në 102 ndeshje, si dhe ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Mynih 1972”. Për aftësinë e tij përpara portës (katër herë golashënuesi më i mirë në kampionatin e Gjermanisë Lindore) Streich ishte mbiquajtur “Gerd Mulleri” i Gjermanisë Lindore dhe kishte sfiduar rivalin e tij të quajtur “der bomber” në Kupën e Botës të vitit 1974.
Sot Magdeburgu e kujton duke theksuar se “Joachim Streich do të jetojë përgjithmonë në zemrat e anëtarëve të këtij klubi”. Pas tërheqjes nga futbolli, Streich kishte punuar gjithashtu në Magdeburg si trajner, më vonë u transferua në Perëndim, duke udhëhequr Eintracht Braunschëeig në nivelin e dytë më të lartë bë futbollin gjerman.
Për tifozët shqiptarë Streich mbahet mend për faktin se I ka shënuar tre gola Shqipërisë në kualifikueset e Kupës së Botës së vitit 1973. Në ndeshjen e parë në Magdeburg, që u fitua nga Republika Demokratike e Gjermanisë me shifrat 2-0, ai shënoi golin e dytë. Ndërsa në ndeshjen tjetër, në Tiranë, ai shënoi 2 herë në suksesin 4-1.