Në mesin e tifozëve të Irlandës Veriore që zbarkuan në Prishtinë ditëve të fundit për të përkrahur kombëtaren e tyre në ndeshjen ndaj Kosovës, kishte shumë njerëz të profesioneve të ndryshme, shumica klasë e mesme punëtore, gazetarë, shërbyes civilë, por këtu s’bënte pjesë Roy McGivern. Ai ka nderin të jetë kryetar i Linfield FC, klubit më të trofeshëm në historinë e futbollit, shkruan Gazeta Metro.
Me 56 tituj të Ligës Irlandeze, 44 kupa të Irlandës dhe 10 kupa të Ligës, Linfield FC qëndron krenarisht në vendin e parë në botë sa i përket trofeve. Klubi më i madh në Irlandën Veriore dhe me një histori të bujshme, Linfield janë gjithmonë e më tepër në rritje dhe synojnë që të luajnë rregullisht edhe në kompeticionet europiane.
Për arritjet e këtij klubi, objektivat dhe të ardhmen europiane, Roy McGivern dha një intervistë për Gazetën Metro, gjatë kohës sa po e shijonte qëndrimin e shkurtë në Prishtinë bashkë me tifozët e tjerë të Irlandës Veriore.
Kur u pyet se si ndihej kur dëgjonte fjalinë “klubi më i suksesshëm në botë”, z.McGivern u përgjigj kështu: “Është e mrekullueshme ta dëgjosh këtë.”
“Kemi fituar 56 tituj që është e pabesueshme. Kam qenë kryetar i klubit për 5 vitet e fundit dhe ambicia ime ka qenë ta dërgoj klubin përpara, të luajmë futboll europian”, tha më tej ai për Gazetën Metro.
Roy McGivern tregoi se pozita që aktualisht mban në Linfield kishte qenë ëndërr e tij.
“Linfield është jeta ime, ëndrra ime, pasioni im dhe ne po mundohem ta çojmë klubin në garat europiane.”
Garat europiane kanë qenë paksa të vështira për Linfield, që nuk kanë arritur kurrë plasmanin në fazën e grupeve. Sivjet, ata ndodhen në rundin e parë kualifikues të Champions League, aty ku bën pjese edhe kampioni i Kosovës, Ballkani.
“Do të ishte fantastike nëse kampioni i Kosovës do të luante kundër nesh”, tha McGivern.
Ai më tutje vazhdoi: “Do të ishte e mrekullueshme nësë kualifikohemi në Champions League, përfitimet për ligën tonë do të ishin të mëdha, edhe për Irlandën Veriore si shtet.”
Shefi i Linfield u pyet për mundësinë e pjesëmarrjes në kompeticionet europiane dhe se sa afër janë irlandezoveriorët për një gjë të tillë.
“Jemi shumë afër fazës së grupeve, shumë, shumë afër. Luajtëm kundër Qarabag para tri vitesh në playoff të Europa League dhe humbëm në gola si mysafirë, na u thye zemra.”
“Besoj se do të kualifikohemi në fazën e grupeve në dy vitet e ardhshme”, tha për fund McGivern.
Roy McGivern erdhi në Kosovë të martën bashkë me dhjetëra shokë të tij tifozë të Irlandës Veriore për ta mbështetur atë në ndeshjen e mbrëmshme, e cila përfundoi 3-2 për Kosovën. Ata u befasuan nga mikpritja që iu bë në vendin tonë dhe patën një përvojë të paharrueshme nëpër rrugët e baret e Prishtinës.