Fati është diçka që të gjithë e duam në jetë, por jo të gjithë e kemi aq sa kërkojmë.
Fati dhe suksesi dallojnë, por në disa raste më mirë është të kesh fat, sesa sukses. E më shumë fat, sesa sukses kishte dje Marta Silchenko, një sportiste nga Rusia, e cila çuditërisht e gjeti veten në mesin e futbollistëve më të mirë në botë.
Teksa po qëndronte në një hotel në Paris, golfistja – vendosi që për një moment të ndalet së pushuari dhe të shkojë të ushtrojë në palestër. Në rrethana të paparashikueshme, ai moment kur vajza vendosi të futej në ashensor – duket se ia ndryshoi jetën për të mirë…
Duke shkuar në palestër, Marta Silchenko përfundoi aksidentalisht në të njëjtin ashensor me yjet e skuadrës së Paris Saint Germain si: Lionel Messi, Kylian Mbappe, Sergio Ramos, Neymar, Marquinhos, Presnel Kimpembe, Juan Bernat, Nuno Mendes, Xavi Simons e Danilo Perreira.
Padyshim se të gjithë fansat e futbollit në botë do ta ëndërronin një moment të tillë – të kalojnë pak sekonda me lojtarët më të mirë të sportit të futboll.Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport’, 17 vjeçarja, Marta Silchenko ka treguar në detaje se si ndodhi takimi i saj me futbollistët më të mirë në botë.
“Në thelb, ja çka dhe si ndodhi. Unë jam sportiste dhe po qëndroja në të njëjtin hotel sikurse edhe ekipi i PSG’së. Unë po shkoja në fitnes në katin -1 të hotelit dhe kur unë kam prekur butonin -1 në ashensor, aksidentalisht përfundova lartë, nuk e di si – por përfundova në katin e tretë. Kur u hap dera e ashensorit, unë shoh të disa nga lojtarët e PSG’së duke u futur brenda. Dhe unë për një moment mbeta me gojë hapur, duke thënë “Ç’po ndodhë?” Po i thoja vetes, rri e qetë Marta, gjithçka është mirë. Unë nuk desha të reagojë sikur jam e shokuar, qëndrova e qetë, i pyeta nëse do të luajnë sot, ju urova fat, ata ishin shumë të sjellshëm me mua”, tha fillimisht Marta Silchenko për ‘GazetaBlic Sport’.
Vajza më me fat në botë zbulon se sa të sjellshëm ishin futbollistët dhe si e bëri fotografinë që sot u bë virale në botë – duke u shpërndarë në të gjitha top mediat ndërkombëtare sportive.
“Pastaj unë i pyeta ata nëse mund të bëja një fotografi me ta, një “selfie”. Marquinhos më tha po, vetëm bëje shpejtë. Unë e bëra fotografinë dhe më pas i falënderova. Unë u ndjeva për mrekulli që takova lojtarë kaq të mirë, sepse kjo do të thotë shumë për mua, pasi edhe unë jam sportiste, andaj të takosh lojtarë dhe idhuj si këta është fantastike. Ata më inspirojnë mua në karrierën time, dhe e ndjej se mund të marrë shumë shembuj nga ta”, shpjegoi Silchenko.
Në fund, Silchenko tha se nuk i pengoi futbollistët – vetëm mori atë çka deshti, FOTOGRAFINË. Pasi arritën në katin-1, vajza shkoi në palestër më e motivuar se kurrë – kurse futbollistët drekuan para takimit me Marseille, të cilin më vonë e fituan me rezultatin 2:1.
“Jo të gjithë shikuan në kamerë, sepse nuk kam dashur t’i pengojë ata, thjeshtë bëra fotografinë. Në fund, të gjithë dolëm nga ashensori në katin -1, ata shkuan të hanin, unë shkova në fitnes”, përfundoi ajo.
Natyrisht se pasi shkrepi fotografinë, Marta Silchenkos gjëja e parë që i shkoi në mendje ishte ta publikonte në rrjetet e saj sociale. Ajo vendosi të bëjë një gjë të tillë gjatë ditës së sotme, ku publikoi fotogarfinë në profilin e saj zyrtar në “Instagram”. Ndoshta nuk e priste, por foto e saj për 6 orë ka mbledhur mbi 130 mijë pëlqime dhe është shpërndarë nga mediumet më të mëdha në të gjitha platformat. DailyMail, 433, Marca, Ole, Sky Sports, RMC Sport e shumë e shumë mediume tjera publikuan fotografinë e saj, duke e bërë atë super të famshme.
Tashmë padyshim mund të themi se Marta Silchenko është vajza më me fat dhe më virale në botë momentalisht…