Përplasje rivalësh për zonën europiane dhe mbijetesën. Java e 30-të e Abissnet Superiores ofron sfida mjaft interesante, ku antagonizmi në fushë do të jetë në pikën maksimale, bazuar të objektivat që kanë skuadrat. Do të luhet në dy ditë gjatë fundjavës, të shtunën të takime dhe të dielën tri të mbeturat.
E ngre siparin e javës Vllaznia – Partizani, në orën 16:45, në “Loro Boriçi”, kur është ende i freskët ai kualifikim dramatik i shkodranëve në finalen e Kupës, pikërisht në dëm të “demave”. Në kampionat, Partizani ka një më shumë, një arsye e fortë për kuqëblutë për të tentuar suksesin, pasi Europa ende nuk është e sigurt nëpërmjet Kupës.
Mbrëmja e së shtunës do të kulmojë me Kukësi-Laçi (20:00), sfidën që do të përurojë stadiumin e ri dhe modern të qytetit verilindor. Do të jetë një festë e jashtëzakonshme për të githë mbështetësit e Kukësit e sigurisht në raste të tilla gëzimi për impiantin modern nuk do të ishte i plotë pa fitoren e skuadrës së Longos,
Të dielën, në orën 13:45, Tirana do të presë Kastriotin për të mbyllur sa më parë llogaritë e titullit. Bardheblutë nuk do ta kenë shëtitje me krutanët, që ende nuk ndihen të sigurt në garën e mbijetesës.
Në 16:45 do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit, Dinamo-Teuta dhe Skënderbeu-Egnatia. Janë katër skuadrat më të kuotuara për ta mbyllur kampionatin në zonën e rënies. Për momentin, më të rrezikuar për të rënë direkt janë Skënderbeu dhe Dinamo, ndërsa Egnatia dhe Teuta duan të shmangin vendin e tetë, që do të luajë play out me të tretën e Kategorisë së Parë.
Java e 30-të
E shtunë, 23 prill
Vllaznia-Partizani 16:45
Kukësi-Laçi 20:00
E diel, 24 prill
Tirana-Kastrioti 13:45
Dinamo-Teuta 16:45
Skënderbeu-Egnatia 16:45.