Pak ditë pas vdekjes së ish-kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, shtëpia e futbollit të Kosovës nënshkruajti kontratën e sponsorizimit për fanellat e reja me kompaninë zvicerane Fourteen. Një ditë para se të vdiste, Fadil Vokrri kishte arritur marrëveshje me ta – siç do të tregonte më vonë vetë drejtori i saj. Tani, pas katër vitesh, marrëveshja me sponsorin helvet është në përfundim e sipër. Tani ka filluar gjuetia për emrin i kompanisë së re që do të përkujdeset për veshjet e Kombëtares së Kosovës.
Ndërkohë, për bilancin e deritanishëm dhe për atë se çfarë do të ngjajë, për gazetën Nacionale janë deklaruar nga FFK përmes Alba Morinës, drejtoreshë e marketingut, Fatos Berisha, regjisor dhe njohës i marketingut , si dhe Erman Belegu, tifoz i kombëtares, i cili rrëfeu një përvojë të hidhur me kompaninë në fjalë.
Fourteen ishte prezantuar me shumë pompozitet. Njëra ndër premtimet e asaj dite të prezantimit ishte se fanella e re e Kosovës do të ishte anti-bakteriale, pa azot dhe tre dimensionale. Fjalë dhe premtime në ajër do të rezultonin në muajt dhe vitet në prezantim. Më shumë sesa tre dimensionale, problemet e trashëguara dhe shkaktuara nga kjo kompani ishin shumëdimensionale.
Ankesa të shumta, nga të gjitha anët. Nga tifozët, deri te vetë lojtarët. Sipas kontakteve që kam pasur me shumë lojtarë të Kombëtares së Kosovës, ata vazhdimisht kanë vënë theksin te problemet banale për një karakter të tillë sponsorizimi.
Përveç kësaj, kemi të bëjmë edhe me vonesa të panumërta të dërgesave të fanellave nga kjo kompani për të gjithë ata që i porosisin. Madje, janë shënuar edhe raste të gabimeve qesharake, siç bie fjala – ngatërrimi i numrave, etj. Një dëshmi të tillë na pasqyroi edhe një tifoz i Kombëtares së Kosovës.
“Me datën 9 shtator 2019, e kam bërë porosinë e një fanelleve të Kosovës në faqen zyrtare të Fourteen. Kompania ka pasur probleme me postë dhe fanella ka ardhur tek me datën 28 shkurt 2020, pas shumë e-maileve dhe telefonatave të zhvilluara. Pra, pas 172 ditëve dhe gjithashtu ishte me madhësi më të vogël, për çka nuk kisha mundësi as ta vishja. Zhgënjyese kur po flasim për një fanellë me çmim 89 euro”, theksoi për gazetën Nacionale Erman Belegu, një tifoz i zjarrët i Kombëtares së Kosovës.
Gjithsesi, tashmë jemi në vitin e fundit të vlefshmërisë së marrëveshjes mes FFK-së dhe Fourteen. Tashmë kanë filluar edhe angazhimet e para drejt sigurimit të një marrëveshjeje të re, me një kompani të re. Diçka të tillë e ka bërë të ditur edhe drejtoresha për marketing në FFK, Alba Morina.
“Federata e Futbollit e Kosovës ka një kontratë akoma valide me sponsorin aktual, e cila skadon këtë vit. Normalisht, kompanitë e mëdha dhe serioze përcjellin afatet dhe meqë jemi në vitin kur skadon kontrata, përveç kompanisë aktuale, ka edhe ofertues të tjerë të shumtë, gjë e cila na gëzon tej mase, sepse një interesim i ketillë tregon rritjen e Federatës dhe te Kombëtares tonë”, u shpreh ajo.
Në pyetjen sa i përket dizajnit të fanellave dhe se sa vite kontratë do të nënshkruhen me kompaninë e re, ajo u përgjgij:
“Sa i përket dizajneve, është Federata e Futbollit ajo që së bashku me art-directors të kompanive punojnë në dizajne. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Fourteen14. Asnjë dizajn nuk ka kaluar pa imputetin e ekipit të FFK-së dhe e njëjta gjë do të ndodhë me secilën që do të jetë pasuese.
“Kontratat për sponsor teknik kryesisht bëhen me cikël eliminator. Kështu që, kontrata do të jetë minimalisht 2-vjeçare, me mundësi të zgjatjes”, nënvizoi ajo.
Një e metë e madhe e kompanisë aktuale ka qenë edhe mungesa e një pike fizike të një dyqani në Kosovë ku do të shiteshin veshjet e Kombëtares së Kosovës. Ishte përfolur Albi Mall në të kaluarën, por diçka e tillë nuk ngjau asnjëherë. Me marrëveshjen e re pritet që të rregullohet diçka e tillë.
“Po, mund t’jua konfirmoj që do të ketë showroom. Tashmë dy lokacione veçse janë caktuar”, na tha Alba Morina.
Sot, e bëra një tjetër kërkim të thjeshtë në faqen zyrtare të kompanisë zvicerane dhe çmimi i tanishëm për kë dëshiron që ta blejë një fanellë të Kosovës kushton plot 99 euro. Ndërkaq, e bëra një krahasim me ueb faqen e FSHF-së ku është dritarja që të mundëson për porositjen e fanellave të kombëtares së saj dhe çmimi i tërësishëm ishte 69 euro. Pra, 30% më lirë. Një çmim i tillë i lartë që nuk korrespondon aspak me cilësinë e produktit, ka bërë që shumë tifozë të Kombëtares së Kosovës të privoheshin nga mundësia për ta siguruar një fanellë. Nga FFK thonë se do të përpiqen që ta rregullojnë çmimin që do të dalë në treg për blerjen e fanellave.
“Normalisht që FFK do të kërkojë nga sponsori teknik që çmimi i fanellave të jetë i arsyeshëm, në mënyrë që secili të ketë mundësi të ketë një fanellë të Kosovës”, përfundoi Alba Morina.