Adnan Januzaj pritet të rikthehet në Premier League, por te skuadra e West Ham Unitedit. Kështu, ka bërë të ditur sajti britanik “SportWitnees” të martën.
Januzaj është shumë afër arritjes së marrëveshjes me West Hamin ndërsa ndikim të madh në transferimin e tij në Londër, do të ketë trajneri David Moyes. Moyes është trajner i West Hamit dhe po insiston në transferimin e Januzajt, me të cilin ka punuar te Manchester Unitedi.
Në fakt, ishte pikërisht Moyes, ai që ia pati dhënë mundësinë Januzajt të luante për ekipin e parë të Manchester Unitedit në sezonin 2013/14, në të cilën sulmuesi i krahut pati regjistruar 35 paraqitje.
Januzaj te West Hami do të kalonte si lojtar i lirë, pasi në fund të këtij muaji i skadon kontrata me Real Sociedadin.
Krahas West Hamit, Januzaj është kontaktuar edhe nga Roma, por ekipi anglez po vlerësohet favorit për shërbimet e tij.
27-vjeçari prej vitit 2017 ishte pjesë e Sociedadit kurse sezonin e fundit, shënoi pesë gola dhe asistoi tri herë në të gjitha garat./Koha/