Cili e fiton çmimin e faullit më të rëndë të të gjitha kohërave? Me shumë mundësi Roi Kin.
Vështirë të harrohet ajo ndërhyrje e mesfushorit të Junajtidit gjatë derbit të Mançesterit, i cili përfundoi karrierën e Alf-Inge Halandit, babait të sulmuesit të Dortmundit.
Një ndërhyrje me paramendim, të cilën e bëri për t’u hakmarrë, siç irlandezi e pranon në autobiografinë e tij.
Gjithçka lindi pas një debati që nisi 3 vite më parë, kur norvegjezi e akuzoi Kinin se kishte simuluar një dëmtim.
Dhe Roi që nuk e harroi vendosi t’i këpuste ligamentet. “A mund të të them diçka”, iu drejtua Kin ish-mbrojtësit të Sitit, Mikah Riçards, gjatë një diskutimi në “Sky Sports”.
“Nuk jam penduar kurrë për asgjë që kam bërë në fushë. Asnjë herë të vetme.
Për mua të zbrisja në fushë ishte një betejë. A hyja në fushë për të dëmtuar kundërshtarët? Sigurisht dhe nuk kam kërkuar kurrë falje për këtë. Edhe ata e bënin, por unë nuk jam ankuar kurrë”