Dukagjini po mundohet ta konsolidojë ekipin për sezonin e ardhshëm në Superligën e futbollit.
Klubi nga Klina së fundmi është përforcuar me një futbollist ukrainas.
“Gazeta Express” mëson se Vladyslav Khomutov e ka zhvilluar dje stërvitjen e parë me ekipin e tij të ri.
24 vjeçari luan në pozitën e mesfushorit dhe është produkt i shkollave të futbollit të FC Olimpik Donetsk e FC Shakhtar Donetsk Youth Sportive School Systems.
Futbollisti i lindur në Donetsk do të ushtrojë disa ditë me ekipin nga Rrafshi i Dukagjinit para se ta nënshkruajë kontratën me klubin kosovar.
Në vitin 2014, ai kishte nënshkruar kontratë me klubin Olimpik Donetsk, ku kishte luajtur me ekipin e rezervistëve.
Khomutov e kishte bërë debutimin e tij në Premierligën ukrainase më 15 maj të vitit 2016 kur ishte futur si zëvendësues në lojën kundër Dnipro Dnipropetrovsk.
Tutje, ai ka luajtur edhe në ekipet Chornomorets Odesa, ViOn Zlate Moravce, Nomme Kalju dhe së fundmi ishte transferuar në Karpaty Lviv.
Babai i tij, Denys Khomutov po ashtu ka qenë futbollist, ndërsa aktualisht është trajner.
Dhe, trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku e ka shfrytëzuar miqësinë me trajnerin ukrainas për të negociuar për të birin e tij, i cili sipas të gjitha gjasave do ta kalojë sezonin e ardhshëm në fanellën e gjelbër.
Dukagjini së fundmi e vazhdoi bashkëpunimin me disa prej lojtarëve të rëndësishëm, ndërsa pritet të bëjë edhe përforcime të tjera gjatë kësaj vere, i vetëdijshëm se edicioni 2022/23 nuk do të jetë aspak i lehtë për t’u përballur me të.