Megjithëse nuk e pranon se ishte një thumbim i drejtpërdrejt ndaj saj, Drita e sheh deklaratën ngacmuese të trajnerit të Llapit, Tahir Batatina ndaj saj si një përpjekje dëshpëruese për ta mbuluar dështimin e skuadrës së vet në Evropë.
Batatina shkaktoi habi duke e quajtur Llapin si klubin më të adhuruar dhe me numrin më të madh të tifozëve në stadium në një postim në Facebook pak çaste pasi Drita ishte rrëzuar nga kualifikimet në Ligën e Konferencës pas disfatës 2:0 kundër Antwerpit në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kualifikues në Fadil Vokrri të enjten.
Por drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, ka thënë për Gazetën Nacionale se Batatina është marrë me stadiumin dhe tifozët nga dëshpërimi i dështimit të skuadrës së tij në kualifikime për garën e kategorisë së tretë të futbollit evropian.
“Deklarata e Batatinës nuk mendoj që është kunj ndaj Dritës, ai është munduar që ta fshehë dështimin e ekipit në ndeshjet ndërkombëtare duke u marrë se kush e mbush stadiumin!” tha Zymberi i pyetur nga Nacionale rreth deklaratës së Batatinës.
Drita e kishte ndalur me barazim klubin e madh belg në ndeshjen e parë në Belgjikë dhe pati mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozë të vetë “Intelektualët” dhe të tjerëve në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, por nuk ishte e shkruar për të përkundër lojës së mirë dhe rasteve për shënim në fillim të takimit, pasi kosovari Laurit Krasniqi dhe Michel-Ange Balikwisha shënuan në pjesën e dytë për ta eliminuar.
Për dallim nga Llapi – që kishte shpërndarë dhjetëra qindra bileta falas me ndihmën e bizneseve dhe i kishte lutur rreth 21 grupe të tifozëve të klubeve rivale ta mbështesnin në stadium – Drita i kishte nxjerrë në shitje të gjitha biletat dhe nuk kishte bërë fushatë në rrjetet sociale për mbështetjeje nga grupe tjera tifozësh.
Prapëseprapë, ajo arriti ta mbushë stadiumin dhe të krijojë një atmosferë të paparë më herët nga një skuadër kosovare në Stadiumin Fadil Vokrri.
“ Ne për ta bërë një gjë të tillë, nuk kemi bërë pompozitet folklorik e patriotik, nuk kemi ftuar tifogrupe të tjera e nuk kemi bërë kërkesa për mbështetje nga bizneset për ta mbushur stadiumin”, theksoi shefi i klubit nga Gjilani për Nacionale.
Ai shtoi: “Ne thjesht jemi organizuar për këtë ndeshje si çdo herë që organizohemi me tifozët intelektualët dhe gjithë futbolldashësit e qytetit dhe stadiumi ishte i mbushur aq sa e kanë pa te gjithë. Përtej kësaj, ne kemi ndërtuar një ekip ku edhe futbolldashësit nga e gjithë Kosova kanë dëshirë për ta pa Dritën se si luan në ndeshje në Evropë.”
Që prej pranimit të Kosovës në UEFA më 2016, Drita ka qenë skuadra më e suksesshme kosovare në kualifikime për garat evropiane dhe më së afërmi nga të gjitha për ta arritur kualifikimin. Vitin e kaluar, Drita tregoi futboll edhe më madhështor dhe ishte buzë befasisë së madhe për ta rrëzuar gjigantin holandez, Feyenoord, në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, por humbi me rezultat të përgjithshëm 3:2.
Feyenoordi, më pas arriti deri në finale të Ligës së Evropës, ku u mposht nga Roma në Tiranë.
Çfarë kishte thënë Batatina?
Batatina nuk kishte vonuar shumë për të reaguar në një kohë reagimesh mbështetëse dhe lavdëruese për Dritën të enjten e kaluar. Por reagimi i tij ishte më shumë thumbim se sa çfarëdo tjetër.
“Sot edhe një herë tjetër u vërtetua se stadiumin Fadil Vokrri e mbush vetëm klubi me traditë, KF Llapi. Nuk ka rëndësi as dënimi por e rëndësishme është që jemi klubi që adhurohemi më së shumti në Kosovë. Vazhdojmë fuqishëm drejt synimit madhor”, kishte shkruar Batatina të enjten në mbrëmje”, kishte shkruar Batatina në llogarinë e vet në Facebook.
Llapi u eliminua në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës pas disfatës kundër Buducnostit me rezultat të përgjithshëm 4:2 pas dy ndeshjeve. Skuadra e Batatinës e kishte humbur ndeshjen e parë 2:0 në Mal të Zi, para se të barazonte 2:2 në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.
Kjo është hera e dytë që Llapi merr pjesë në kualifikime për një garë evropiane dhe rrëzohet qysh në rrethin e parë.
Batatina kishte bërë fushatë të madhe në rrjetet sociale për të tërhequr sa më shumë tifozë për ta mbështetur Llapin në ndeshjen e kthimit në Prishtinë. Kjo i kushtoi Llapit me një dënim të madh nga UEFA, për shkak të thirrjeve raciste dhe pushtimit të fushës nga tifozët.
Klubi nga Podujeva u dënua me gjobë prej 58 mijë eurove dhe me dy ndeshje pa tifozë.