Klubet e futbollit, përveç reklamimit dhe rritjes së çmimit të lojtarëve nga paraqitjet me kombëtaret, fitojnë edhe para në formën e benefiteve nga Konfederata Europiane e Futbollit, UEFA.
Çdo lojtar, që grumbullohet dhe akoma më mirë, luan, është një burim të ardhurash për klubin e tij.
UEFA ka publikuar së fundmi listën e të gjitha ligave dhe klubeve europiane që kanë përfituar para nga përfaqësimi i lojtarëve të tyre me kombëtaret gjatë periudhës 2018-2020.
Klubet e Kategorisë Superiore kanë arritur të grumbullojnë thuajse 190 mijë euro nga grumbullimet e lojtarëve kryesisht te Kombëtarja kuqezi.
Klubi me më shumë para të fituara gjatë kësaj periudhe është Partizani. Lorenc Trashi dhe Alban Hoxha në atë periudhë ishin lojtarë të ftuar në mënyrë të vazhdueshme te Shqipëria dhe në dy vite i kanë dhënë Partizanit gati 127 mijë euro, duke mbuluar një pjesë të mirë të pagave të tyre.
Lorenc Trashi është aktivizuar në tri ndeshje kualifikuese përgjatë kësaj periudhe kur ishte pjesë e Partizanit, ndërsa Alban Hoxha numëron 9 ndeshje në kualifikuese dhe 8 sfida në Ligën e Kombeve.
Gardiani i të kuqve nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje me kuqezinjtë gjatë kësaj periudhe, me Strakoshën e Berishën, që sundonin për minuta mes katërkëndëshit.
Në vendin e dytë, por me një diferencë të madhe renditet Skënderbeu, që ka përfituar thuajse 24 mijë euro nga aktivizimet e Enis Gavazajt, Liridon Latifit dhe Sabien Lilajt me kuqezinjtë.
Në vendet 3 dhe 4 renditen Laçi dhe Kukësi, me kurbinasit që kanë marrë 49 euro më shumë falë grumbullimit të ishkapitenit, Gentian Selmani.
Ndërkohë, Kukësi i ka fituar ato para nga grumbullimi i Sidrit Gurit me kuqezinjtë dhe Musollit me Kosovën.
Klubi tjetër, i cili ka arritur të përfitojë nga ky benefit është Tirana, megjithëse me një shumë thuajse të papërfillshme. Bardheblutë kanë marrë 7500 euro nga grumbullimi i Hoxhallarit te Shqipëria dhe Bekajt te Kosova gjatë periudhës 2018-2020./Panorama/