Një paraqitje mjaft e mirë nga skuadra e Besës në Mitrovicë sot.
Pejanët, ndonëse matematikisht e kishin siguruar rënien në Ligën e Dytë para se ta fillonte takimi i sotëm, treguan karakter dhe zhvilluan paraqitje mjaft të mirë, duke e mposhtur Trepçën vendase me rezultat 1-3 (Milivoj Govorko 9’ / Dren Idrizi 42’, Redon Syla 50’, Sikhulekile Sibanda 57’).
Të parët në epërsi kaluan vendasit që në minutën e 9’ me golin e Milivoj Govorkos, derisa pejanët barazuan pak pa u mbyllur pjesa e parë.
Ishte Dren Idrizi ai që me të majtën në minutën e 42’ shënoi për 1-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, pejanët shënuan dy herë dhe e fituan takimin. Fillimisht në minutën e 50’ shënoi mjeshtërisht Redon Syla nga gjuajtja e lirë e shtatë minuta më vonë për rezultatin përfundimtar 1-3 shënoi Sikhulekile Sibanda.
Përkundër fitores së sotme, Besa me 29 pikë e mbyllë sezonin në vendin e fundit të Grupit A në Ligën e Parë dhe bie në Ligën e Dytë, kurse Trepça të paktën edhe sezonin tjetër do të jetë pjesë e Ligës së Parë./topsporti