Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e afatit kalimtar, 2 Korriku ka “goditur” sërish, duke afruar në radhët e tij një prej mbrojtësve të djathtë më të njohur e më të dalluar në futbollin e Kosovës, Përparim Osmanin, i njohur nga opinioni ndryshe edhe si ‘Laqi’.
Përparimi, që ka bërë karrierë nëpër shumë skuadra të futbollit vendor, si Prishtina, Drita, Flamurtari e së fundi edhe Vushtrria, skuadra me të cilat ka fituar edhe trofe në futbollin vendor, tash e tutje do ta vesh fanelën e klubit të 2 Korrikut, një klub të cilin jo pak herë i ka rënë ta ketë për kundërshtar në këto vite të karrierës së tij si futbollist.
Duke e pasur parasysh moshën mesatare që skuadra ka për momentin, Përparimi që në Mars të këtij viti mbushi 34 vite jetë, pa pikë dyshimi do të jetë ndihmë e madhe, sidomos për futbollistët që ende nuk kanë përvojën e duhur n nivelin e garave me ekipin senior. Shumë vite në futboll, kanë bërë që ‘Laqi’ të jetë i mishëruar me futbollin në Kosovë, e kjo natyrisht se është përparësi për të, sepse nuk konsiderohet si lojtar i huaj, por si dikush që e njeh jashtëzakonisht mirë futbollin në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe Ligën e Parë, ligë në të cilën në edicionin e fundit u paraqit me skuadrën e Vushtrrisë.
Për ditën e tij të parë si “verdheblu”, normalisht se pati vend edhe për disa fjalë nga vet futbollisti, i cili tha se: “Po ndihem shumë mirë; e di se çka klubi është duke u munduar të ndërtoj dhe për këtë kam ardhur që më përvojn time të ndihmoj për aq sa kam mundësi. Me aq sa di dhe jam informuar, në ekip ka shumë futbollistë cilësor, si nga ata që janë me përvojë edhe nga ata që janë të rinjë e kanë shumë potencial.”
Mesazhi: “Vetëm punë na duhet, fjalë aspak. Po them kështu sepse në futboll, në momentin që angazhohesh, nuk ka dilemë se i arrin qëllimet. Kshtu që, si për bashkëlojtarët, si për të gjithë, këto janë fjalët e mia, sepse edhe nga përvoja që kam, lirisht mund të them që pa punë asnjëherë nuk do të jemi në gjendje t’i arrijmë objektivat në këtë edicion.”