Drita kërkon historinë në garat evropiane.Skuadra kosovare do të përballet sot me skuadrën belge, Royal Antwerp, shkruan GazetaBlic Sport.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë e dy skuadrave në kuadër të Ligës së Konferencës, pasi në të parën luajtën 0-0 në Belgjikë.
Ndeshja zhvillohet me fillim nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Të dy skuadrat kanë bërë përgatitjet e fundit për këtë duel shumë të rëndësishëm.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, trajneri i mirënjohur kosovar, Arbnor Morina tha se asnjë ndeshje nuk është e lehtë, por se Drita ka treguar paraqitje të mira duke na bërë krenarë.Ai tha poashtu se skuadra kosovare duhet të jetë shumë e kujdesshme sonte në raport me kundërshtarin.
“Asnjë ndeshje nuk është e lehtë, por kjo është arsyeja pse futbolli mbush stadiumet në mbarë botën. Drita na ka bërë krenarë të gjithëve deri më tani me lojërat e luajtura dhe mendoj se sërish ka treguar lojë të pjekur dhe të rrjedhshme. Por, duhet të jenë tepër të kujdesshëm ndaj Royal Antwerp, kjo pasi kundërshtari ka shumë futbollistë me eksperiencë. Sportive dhe njerëzore është të shpresojmë të gjithë në fitoren e Dritës dhe kualifikimin tutje“, tha Morina.