STACIONI I AUTOBUSËVE BËN PËRGATITJET PËR TË FILLUAR PUNËN

0
84

Që nga data 13 mars, 94 punëtorë sa ka gjithsej ndërmarrja publike “Stacioni i Autobusëve”, kanë mbetur në mëshirë të fatit, për shkak se qarkullimi i autobusëve është ndërprerë.

I vetmi burim i tyre është pako emergjente prej 80 mijë euro e ndarë nga Komuna e Prishtinës. Kryeshefi i NPL “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë, Luan Hoti ka thënë për EO , se aktualisht kjo ndërmarrje nuk ka asnjë të hyrë tjetër pos të hyrat nga peroni dhe parkingu.

“Që nga data 13 mars, ne nuk kemi asnjë të hyre sepse siç e dini ndërmarrja jonë të hyrat i krijon përmes shërbimeve të cilët i ofron, ku njëra ndër to është edhe peronizimi i autobusëve por normal edhe i shërbimeve tjera që kanë të bëjnë me udhëtarët dhe me parkingun. Në listën për paga i kemi 94 punëtorë, duke përfshirë edhe bordin rreth 97 punëtorë. Dua të falënderoj Komunën e Prishtinës që e kanë miratuar pakon emergjente, ku ne jemi përfitues prej 80 mijë euro dhe normal ka qenë një ndihmë e madhe pasi që ndërmarrja nuk ka krijuar asnjë të hyrë dhe me këto mjete ne i kemi paguar të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me rroga të punëtorëve si dhe disa shpenzime administrative”, tha ai.

80 për qind e të hyrave në këtë ndërmarrje, dedikohen për paga, e drejtori e pranon se ka një mbipopullim të punëtorëve në këtë ndërmarrje, por që thotë se ndërmarrjen e ka gjetur ashtu siç është.

“Kompania jonë krijon të hyra më shumë se një milion euro në vit, ku pjesa më e madhe e të hyrave janë të dedikuara për paga. Rreth 80 për qind e të hyrave dedikohen për paga, por ju e dini se kjo kompani është pak e mbipopulluar me punëtorë. Realisht nuk ka nevojë për 94 punëtorë, mirëpo unë ashtu e kam gjetur situatën në këtë ndërmarrje dhe e kam marrë një obligim që mos t’i largoj punëtorët nga puna sepse e dimë sesi e kemi situatën në Kosovë, që vuajmë nga papunësia”.

Hoti ka thënë se nuk do të ketë ulje të çmimeve të peronit për autobusët që hyjnë në stacion. Ai thotë se ulja e këtyre çmimeve do të ndikojë në afarizmin e kësaj ndërmarrje.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e Shoqatës së Transportuesve, sidomos me kryetarin e saj, Ruzhdi Kurtishaj. Ju thash se një nga burimet kryesore të të hyrave është peronizimi. Prandaj, ne vitin e kaluar e kemi nënshkruar një marrëveshje e përkohshme që t’i shikojmë mundësitë sesi ta bëjmë uljen e peronizimit mirëpo e kemi parë që ka pasur një ndikim jo të mirë në afarizmin e ndërmarrjes, dhe për këtë arsye, prapë jemi marrë vesh që këto çmime të nivelizohen dhe kemi pas edhe mirëkuptim edhe nga përfaqësuesit e qeverisë. Pra që nga 15 marsi këto çmime janë në fuqi dhe do të mbesin edhe më tutje kur do të filloj punën ndërmarrja jonë për të gjithë autotransportuesit”, ka thënë ai. Ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Ylber Çitaku, pati marrë vendim që çdo qytetarë që hynë në stacion të paguaj nga 10 cent.

Por kryeshefi aktual, thotë se nuk do të ketë më pagesa të tillë për qytetarët.

“Unë kam dëgjuar që ka pasur një shumë prej 10 centë që është paguar për çdo udhëtarë mirëpo kjo më duket që ka qenë në vitin 2018. Pra pas vitit 2018 tripodi është larguar, jo nga unë sepse unë e kam gjetur të larguar mirëpo ne kemi punuar në largimin e rrethojave të cilët kanë qenë të dedikuara për kufizimin e lëvizjes së njerëzve të lidhura me tripod. Nuk do të ketë tripod, dhe unë personalisht nuk mendoj që të kyçemi që edhe 10 cent të paguajnë qytetarët por të gjejmë burime tjera për krijimin e të hyrave dhe besoj që do të jemi në gjendje që t’i krijojmë këto të hyra sepse ka potencial kjo ndërmarrje”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se janë të gatshëm që të fillojnë punën menjëherë, ku vërehet se janë duke bërë përgatitjet e fundit, si meremetimin dhe lyerjen e objektit. Sipas rij, e gjithë kjo po bëhet nga punëtorët pa qenë në kompetencë të tyre, por në mënyrë vullnetare nga ta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here