Albin Kurti: Luan Haradinaj, studenti-luftëtar që ka mbajtur gjallë Kosovën

0
84

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar Luan Haradinajn në 21 vjetorin e tij të rënies duke e quajtur edhe si figurën e përkryer të viteve 90-ta.

Kurti tha se Haradinaj mbajti ndezur të vërtetën e rezistencës së popullit të Kosovës derisa ishte student në Shqipëri e luftëtar në Kosovë, njofton Klan Kosova.

“Luan Haradinaj është një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është po ashtu edhe një prej themeluesve të mbështetjes logjistike të ardhur prej Republikës së Shqipërisë. Luan Haradinaj me veprimtarinë e tij të armatosur kundër pushtuesit, mbajti të ndezur të vërtetën e rezistencës që përshkon popullin tonë”.

“Por, Luan Haradinaj është edhe figura e përkryer e viteve ’90. Student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, sa herë që vinte prej Tiranës, nuk mund të kthehej sërish atje pa kryer së paku një aksion kundër forcave pushtuese serbe. Numri i aksioneve individualë të Luanit qe tashmë dyshifror”.

“Ai është studenti-luftëtar që ka mbajtur gjallë dhe lavdishëm Kosovën. Ai ra dëshmor ndërsa ishte ende student; figurë e luftëtarit që mbetet përjetshëm i tillë; çereku i shekullit që përmbushet lavdishëm”.

Kurti kujtoi veprën e lavdishme të Luanit edhe me disa vargje të Rexhep Selimit që ka shkruar për të.

Më 6 maj 1997, Luan Haradinaj, teksa vinte prej Shqipërisë mes bashkëluftëtarëve Fehmisë, Xhevës, Abedinit dhe luftëtarëve të tjerë, ra në pritë në Qafëmullar. Dhe atë ditë u nda prej nesh. Rexhep Selimi ka dhënë përkufizimin poetik për heroin Luan Haradinaj:

Mbi ta u murose urë
pushove hapërimin
ta vigjëlosh dheun
mbi atë gur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here