Studim i Odave Ekonomike: 92% e bizneseve pësojnë rënie të shitjeve, mbi gjysma ndjehen të rrezikuar për mbijetesë

0
74

Shumica e bizneseve kosovare, rreth 92% kanë përjetuar zvogëlim të shitjeve si pasojë e masave kufizuese, prej të cilave rreth 48% kanë raportuar rënie më të madhe se 75%, derisa çereku i tyre ka raportuar zvogëlim të shitjeve në normën mbi 50%.

Kështu tregojnë gjetjet e hulumtimit të realizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, për matjen e ndikimit të masave kufizuese kundër përhapjes së pandemisë Covid-19 në sektorin privat.

“Rëniet e shitjes rezultojnë të jenë në korrelacion të drejtpërdrejtë me aftësinë e ushtrimit të veprimtarisë nga ana e bizneseve, meqë anketa më tej gjen se 83.6% e ndërmarrjeve shprehen se kriza ka zvogëluar aftësinë e tyre për të punuar, me ç’rast 39% e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht, 30.7% punojnë me kapacitet të reduktuar, ndërsa 13.8% punojnë me orar të shkurtuar. Vetëm rreth 2% e ndërmarrjeve rezultojnë të mos jenë afektuar aspak, ndërsa pjesa tjetër kanë organizuar një pjesë ose të gjitha aktivitetet nga shtëpia” thuhet në studim.

Sipas kësaj ankete, të dhënat e të cilës janë analizuar nga Recura Financials, dhe e cila është kryer me 462 biznese në fillim të muajit prill rezulton se rreth 95% të ndërmarrjeve e vlerësojnë krizën e COVID-19 si negative, përderisa mbi 60% prej tyre besojnë se pandemia Covid-19 rrezikon mbijetesën e tyre.

“Gjetjet tregojnë se më të rrezikuarat ndjehen ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla me mbi 65% të tyre që janë deklaruar se u rrezikohet mbijetesa, derisa 44.8% e ndërmarrjeve të mesme dhe 40% ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre. Sipas sektorëve, më i rrezikuari ndjehet sektori i ndërtimtarisë me 75%, përcjellë nga sektori i shitjes me pakicë (57.3%), prodhimtaria (56.6%) dhe tregtia me shumicë (54.7%)”.

Për sa i përket numrit të punonjësve, 30% e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve – largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla ku rreth 13.9% e tyre kanë larguar mbi 50% të të punësuarve.

Përmes kësaj ankete gjithashtu janë bë matjet për knaqshmërinë e bizneseve me masat e qeverisë.

“Më pak se 20% e ndërmarrjeve të anketuara shprehen si shumë të kënaqura me qartësinë e vendimeve të Qeverisë për masat kufizuese pas shpërthimit të pandemisë COVID19. Ndërsa për sa i përket vlerësimit të masave të vendosura nga Qeveria për mbështetje të sektorit privat, më pak se 6% e të anketuarve vlerësojnë se masat lehtësojnë në masë të madhe vështirësitë e të bërit biznes krahasuar me një përqindje të ngjashme të atyre që vlerësojnë se masat nuk lehtësojnë aspak vështirësitë e tyre. Në këtë mes, rreth 40% e ndërmarrjeve vlerësojnë se masat lehtësojnë shumë pak vështirësitë operacionale, pasuar nga 21% të tyre që besojnë se masat lehtësojnë mesatarisht vështirësitë e tyre”.

Lidhur me aspektet operacionale të ndikuara nga pandemia Covid-19, ndërmarrjet raportojnë kryesisht për humbje financiare (78% e respodentëve), mungesë likuiditeti (44%), joefikasitet në punë (40%), humbje të kapaciteteve prodhuese (27%).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here