Fitoi betejën me koronavirusin, 36-vjeçari dhuron plazmën e gjakut për t’u shpëtuar jetën pacientëve të tjerë

0
81

Një burrë nga Kalifornia, i cili u diagnostikua me koronavirus dhe u shërua, ka bërë një gjest të madh humanitar.

36-vjeçari, Jason Harcia, me profesion inxhinier i hapësirës ajrore, ka dhuruar plazmë gjaku për të ndihmuar pacientët e tjerë që po luftojnë kundër virusit vdekjeprurës.

Më 6 mars, 36-vjeçari nga Escondido e Kalifornisë, vuri re se kishte një kollë të lehtë dhe disa bllokime, por nuk i kushtoi shumë vëmendje këtyre simptomave.

Por më vonë, ndërsa ishte në një udhëtim pune, ai nisi të ndjente një dhimbje koke, e cila e shoqëronte teksa kollitej.

Brenda një dite, Garcia nisi të ketë ethe dhe dhimbje trupi, të cilat i kaluan shpejt.

Mirëpo më pas, ai shfaqi probleme me frymëmarrjen. Pas këtyre simptomave, ai thirri mjekun e tij, i cili i tha të shkonte në spital dhe të testohej për koronavirus.

Pasi bëri testin, ai e mori përgjigjen në 14 mars, ku iu komunikua se kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Garcia tha:

NGA SPITALI MË THANË TË QËNDROJA I IZOLUAR. KËTË GJË BËRA.
Ai kaloi gati 10 ditë brenda shtëpisë, i mbyllur në zyrë ose në dhomën e mysafirëve, duke qëndruar larg gruas dhe vajzës së tij 11-muajshe.

Në 18 mars, gjendja e tij shëndetësore nisi të përmirësohej ndjeshëm, dhe ai nuk kishte më simptoma të virusit.

Ai mori një letër nga rrethi i San Diego-s, ku i komunikohej se mund të dilte nga izolimi më 23 mars.

Garcia tha se megjithëse protokolli për daljen nga izolimi ishte 72 orë pa simptoma, ai dëshironte të ishte tepër i kujdesshëm.

Ai tha:

VENDOSA QË TË QËNDROJA EDHE PESË DITË TË TJERA, QË TË ISHA PLOTËSISHT I SIGURT.
Fitorja mbi virusin

Për të festuar shërimin e tij, ai bëri një postim në rrjetet sociale, ku njoftoi miqtë e tij se ishte infektuar me koronavirus dhe tashmë ishte më mirë.

Ndër të tjera, ai shkroi:

DEKLAROJ FITOREN NDAJ KËTIJ VIRUSI VDEKJEPRURËS. UNË E MPOSHTA KORONAVIRUSIN.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët e shëndetit në Spitalin St. Joseph në Orange Conty, California, bënë një njoftim në mediat sociale, ku kërkonin dikë që ishte diagnostikuar dhe shëruar nga koronavirusi, për të ndihmuar me një trajtim eksperimental, për të shpëtuar jetën e pacientëve të tjerë të infektuar.

Një mik i Garcias, pa të dy postimet në mediat sociale dhe kontaktoi me inxhinierin 36-vjeçar.

Një dhurim për të shpëtuar jetë

Zyrtarët e shëndetit i kërkuan 36-vjeçarit një dhurim plazmatik, që t’i jepej një pacienti me koronavirus, i cili ishte në gjendje të rëndë, dhe nuk kishte asnjë përmirësim nga trajtimet e bëra deri më tani.

Dhe pa e menduar dy herë, Garcia tha “PO”.

Ai shtoi:

KJO MUND TË SHNDËRROHET NË NJË MUNDËSI SHPËTIMI PËR DIKË, QË NUK MUND TA LUFTOJË DOT KËTË VIRUS.
Dhurimi i plazmës së gjakut do të lejojë që pacienti i infektuar të marrë antitrupa nga Garcia, i cili e ka mposhtur virusin, për të ndihmuar që dhe ai të shërohet, tha Wendy Escopedo, drejtori i infermierisë në departamentin e veshkave, në Spitalin St. Joseph.

Më 1 prill, Garcia dhuroi plazmën e tij për transferim eksperimental në tre pacientë të infektuar.

Mjekët i thanë se e gjithë plazma e tij është dhuruar.

Dhe lajmi i mrekullueshëm i erdhi nga spitali: Pacienti i cili ishte në gjendjen më të rëndë që nga momenti i transferimit të plazmës ishte përmirësuar.

Pacienti u trajtua me disa medikamente dhe tashmë është në gjendje më të mirë shëndetësore dhe nga dita në ditë ai po përmirësohet.

Garcia u shpreh:

KUR U DIAGNOSTIKOVA, U PUSHTOVA NGA NDJENJA E FRIKËS DHE PANIKUT. POR KY MAKTH PËRFUNDOI NDOSHTA DUKE SHPËTUAR JETËN E DIKUJT.
Edhe pse Garcia nuk e di ende se si u infektua nga virusi, ai është i lumtur që mund të kontribuojë në një trajtim, derisa një vaksinë të jetë gati.

Ai tha:

NËSE KJO FUNKSIONON, DO TË JETË NJË MUNDËSI E MREKULLUESHME PËR TË GJITHË PACIENTËT QË PO LUFTOJNË PËR JETËN E TYRE.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here