74-vjeçari nga Vitia ishte duke u trajtuar për veshka në spital, mbrëmë rezultoi pozitiv edhe me COVID -19

0
84

Mbrëmjen e së hënës u konfirmua një rast me COVID-19 në komunën e Vitisë. Një 74-vjeçar i cili ishte duke u trajtuar në një spital privat për sëmundje të tjera, ka rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë për Gazetën Express se 11 persona të tjerë që janë testuar të hënën, kanë rezultuar negativë

Ishte duke u trajtuar në një spital privat në Prishtinë për problemet që kishte me veshka. 74-vjeçari nga fshati Stubëll i Vitisë kishte ardhur para dy muajsh nga Gjermania në vendlindje.

Ai rezultoi pozitiv në testimet që iu bënë për COVID-19, duke çuar kështu në 45 numrin e të prekurve në komunën e Vitisë.

Kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti, tha për Express se rastet e tjera në Viti kanë rezultuar ne gative.

“74-vjeçari nga Stublla që doli pozitiv mbrëmë ishte duke u trajtuar në një klinikë private për sëmundje tjera. Në testimet për COVID-19 ai rezultoi pozitiv. Ndërkohë rastet tjera në komunën tonë kanë dalë negative”, ka thënë Haliti.

Haliti tha se po ka qytetarë të cilët po shprehin dëshirën të testohen, derisa tha se vetëm dje kanë qenë 7 raste të tilla.

“Në 11 rastet e djeshme që kanë dalë negative, 7 prej tyre kanë qenë kërkesa të vetë qytetarëve që të testohen. Kemi ende kërkesa të tilla nga qytetarët, të cilët dyshojnë se mund të jenë prekur me COVID-19 dhe po duan të testohen. Ndërkaq deri më tani shumica e kontakteve dhe personave të dyshuar janë testuar. Ndërkaq kemi edhe 4 persona të cilët janë në shërim e sipër për të cilët kemi kërkuar që të ritestohen”, ka deklaruar Haliti për Express.

Haliti theksoi se nga 45 persona të prekur me koronavirus në Viti, deri më tani janë shëruar 3 prej tyre, derisa mbesin 42 raste aktive me COVID-19.

Ai theksoi se gjendja me furnizime në QKMF’të e Vitisë nuk është e kënaqshme.

“Gjendja me furnizime me materiale shpenzuese nuk është e mirë, por po përpiqemi të ia dalim. Ata që janë në vijën e parë, si mjekët, policia e zjarrfikësit kanë nevojë për më shumë furnizime me mjete mbrojtëse. Janë po personat që furnizojnë familjet e izoluara, komitetet emergjente nëpër fshatra, që kanë nevojë për mjete mbrojtëse”, tha Haliti.

Ndërkaq Haliti theksoi se në Viti janë mbi 100 persona të izoluar, e sipas tij qytetarët po i respektojnë masat e qeverisë për të qëndruar në shtëpi.

Ndërkohë, numri total i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 598.

Nga ta, 123 janë shëruar, ndërkaq 16 kanë humbur jetën në tërë territorin e Kosovës.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here