Rama flet për të fejuarën e djalit në “Porta a Porta”: Kryeministri italian, i pari që na u përgjigj

0
14

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ishte i ftuar në emisionin “Porta a Porta” në Raiuno, Itali, të drejtuar nga gazetari i famshëm italian, Bruno Vespa, për të ndërgjegjësuar sa më shumë njerëz që të kontribuojnë me ndihmën që i nevojitet aq shumë Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit.

Pasi falënderoi gazetarin për këtë mundësi, Rama tha se kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte, tashmë një mik i shtrenjtë i Shqipërisë, iu përgjigj i pari thirrjes për ndihmë.

“Tërmeti ndodhi shumë herët, në katër të mëngjesit. Unë telefonova kë munda, dhe Konte m’u përgjigj menjëherë. Grupi i parë erdhi nga Italia, shumë shpejt. I falënderoj ata që erdhën nga Mbrojtja Civile, sepse janë heronj. Rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerë”, thotë Rama.

Vespa ngushëllon Ramën për të fejuarën e djalit të tij, e cila ishte një prej viktimave që humbën jetën nga shkatërrimi i tërmetit.

“Kam detyrimin të bëj kryeministrin e një vendi që vuan tragjedinë, ndaj nuk doja të flisja për këtë ngjarje sepse nuk është diçka që më përket vetëm mua dhe familjes sime, por i përket të gjithëve. Kjo humbje vetëm sa e ka shtuar detyrën time të brendshme për të bërë gjithçka, sepse nuk shoh ndryshim nga gjithë të tjerët që humbën jetën”, thotë Rama, duke kujtuar se dy prej djemve të intervistuar nga gazetarët italianë ishin hedhur nga pallati, njëri nga kati i pestë e tjetri nga kati i tretë, dhe mrekullisht mbijetuan.

“E pyeta se si fluturove ashtu. Më tha që ka idhull Kristiano Ronaldon. Ishte një vendim i nxitur nga frika, dhe falë Zotit mbijetoi”, tha kryeministri duke shtuar se mbijetesa e tyre ishte një dritë shprese në ato çaste të errëta për Shqipërinë.

Pasi gazetari Vespa i kujtoi rastin e një vendi në Itali, që ishte rregulluar edhe më mirë pas tërmetit, Rama premtoi se do ta rindërtojnë Durrësin me ndërtime të reja, të sigurta e madje më të bukura, sepse e bukura ndihmon në shumë drejtime. Rama theksoi se sapo kishte ardhur nga samiti i NATO-s, në Londër, ku kishte bërë kërkesa për ndihmë, pasi me fondet e Shqipërisë është tepër e vështirë të arrihet diçka e tillë. “Duhen bërë shumë gjëra në të njëjtën kohë. Shpresojmë që bota të mos na lërë vetëm, që Europa të mos na lërë vetëm. Shpresojmë që dhe politikanët të kenë shpirtin e zjarrfikësve tuaj. Shpresojmë që forca mendore e politikanëve të jetë e krahasueshme me atë të zjarrfikësve”, tha Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here