Ja me sa vjet burg rrezikojnë të dënohen Molliqaj, Abazi dhe Sahiti

0
179

Ja me sa vjet burg rrezikojnë të dënohen Molliqaj, Abazi dhe Sahiti
Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke e trajtuar incidentin ku u përfshinë deputetët e PSD-së dhe VV-së, Dardan Molliqaj dhe Haki Abazi si dhe shoqëruesi i Molliqajt, Fatos Sahiti.

Media ka marr vesh se deri më tash janë ndërmarr një varg veprimesh hetimore për ndriçimin e kësaj rrahjeje, përfshirë intervistimin e personave të përfshirë në këtë rast.

Ndonëse në videon e publikuar mbrëmë ekskluzivisht nga Sinjali shpërfaqet e tërë skena e përleshjes, janë organet e hetuesisë dhe të drejtësisë ato që do ta japin fjalën e fundit rreth fajësisë së njërit apo tjetrit akter të përfshirë në këtë incident.

Haki Abazi ka deklaruar sot se ka qenë i sulmuar duke dhënë detaje nga videoja e publikuar dje, ndërsa kontakti me Dardan Molliqajn gjatë ditës ka qenë i pamundur. E shoqëruesi i këtij të fundit, Fatos Sahiti nuk ka pranuar të deklarohet.

Burimet bëjnë të ditur se hetimet mund të përfundojnë me aktakuzë për veprën penale të sulmit të e cila sipas legjislacionit në fuqi parasheh dënim me burg ose me gjobë, si në vijim:

“Kushdo që me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit” thuhet në paragrafin e parë të nenit 184 që ka të bëjë me sulmin të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, NR. 06/L-074, që ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2018.

Sanksionimi i veprës penale të sulmit është zbutur mjaftë shumë me Kodin e ri pasi paraprakisht kryesit e veprave të tilla penale mund të dënoheshin me gjobë dhe burgim deri në 3 vjet.

Kujtojmë se në Kosovë kanë ndodhur sulme dhe përleshje të shpeshta ku, përveç qytetarëve, janë përfshirë edhe një numër politikanësh dhe personash zyrtarë.

Lexoni edhe:
Alarmi për Kosovën: Ja nga kush vie rreziku i ndarjes…

Vetëm gjatë dy viteve të fundit, kanë ndodhur të paktën pesë përleshje fizike mes politikanëve. Përveç përleshjes së fundit fizike mes Dardan Molliqaj e Haki Abazi, më herët një duel fizik kishte ndodhur në emision televiziv mes Milaim Zekës dhe Frashër Krasniqit. Procesi gjyqësor ndaj tyre është duke vazhduar ndërsa palët po i shmangen paraqitjes në seancë gjyqësore. Deputeti Frashër Krasniqi, ishte përfshirë edhe në një rrahje me Xhelal Sveçlen. Ndërkohë Xhavit Haliti nga PDK që mbante postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës kishte goditur me bërryl, deputetin e LDK-së Arben Gashi në sallën e Kuvendit të Kosovës. Një rast tjetër i konfliktit që gati kishte eskaluar në dhunë ka ndodhur mes deputetëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes ku ishin të përfshirë Memli Krasniqi e Nezir Çoqaj si dhe Liburn Aliu e Salih Zyba.

Zbutja e sanksionimit të veprës penale të sulmit mund të ketë efekt negativ në parandalimin e akteve të tilla. Përveç kësaj, autoritetet gjyqësore kanë shqiptuar gjoba minimale për rastet e sulmeve, madje edhe kur bëhej fjalë për sulme ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare kur kryesit e veprave të tilla janë dënuar me vetëm 200 euro.

Këto masa të buta sanksionuese, në opinionin publik janë parë si inkurajim për sulmuesit që t`i qërojnë hesapet fizikisht me viktimat duke marr ligjin në duart e tyre.

(Kosova Sot Online)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here