Do të paguhen edhe pasi të shkojnë: 400 mijë euro për 80 e kusur zëvendësministra

0
14

Më shumë se 80 zëvendësministrat e qeverisë së dorëhequr do të kompensohen 70 përqind të pagës së fundit bazë, 6 muaj pas përfundimit të mandatit.

Ligji për Pagat në sektorin publik, i miratuar në shkurt, që është paraparë të hyjë në fuqi nëntë muaj pas miratimit, parasheh pagesën kalimtare edhe për zëvendësministrat, raporton KTV.

“Zëvendësministri, i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej gjashtë muajsh në vlerë të 70% të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin”, thuhet në nenin 30 të këtij ligji.

Nëse 80 zëvendësministrat do të marrin këtë kompensim të pagës, për 6 muaj pas përfundimit të mandatit, kjo do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 400 mijë euro.

Kompensimi i pagës për 6 muaj do t’u mundësohet nëse të njëjtit kanë ushtruar 6 muaj mandatin e rregullt të zëvendësministrit.

Shoqëria civile ishte shprehur kundër nenit 30 të Ligjit për Pagat në sektorin publik, por që ishte miratuar në Kuvend.

Shumica e subjekteve politike në vend kanë premtuar gjatë fushatës zgjedhore zvogëlim të numrit të ministrive dhe të zëvendësministrave.

Ndërkaq, në një analizë që e ka bërë më parë Instituti GAP, thuhet se do të kurseheshin rreth 13 milionë euro, nëse Qeveria do ta zvogëlonte numrin e ministrive nga 21 në 13.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here