Koalicioni LDK – Vetëvendosje, partia e Kurtit ka një mesazh për Isa Mustafën

0
89

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në orën 14:00, për të diskutuar dhe marrë vendim për mandatarin për kryeministër dhe për koalicionin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.

Megjithatë sot nuk pritet që të ketë ndonjë takim mes emisarëve të cilët janë caktuar nga dy partitë respektive për të negociuar rreth një marrëveshje të mundshme parazgjedhore.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Express, Besnik Bislimi, një prej njerëzve që Kurti e ka caktuar për negociata me ekipin e LDK’së, Avdullah Hotin e Kujtim Shalën.

“Nuk kemi paraparë ndonjë takim sot me LDK’në”, ka thënë Bislimi.

Ai thotë se për takime eventuale duhet të presin se çfarë vendimi do të marrë sot partia që drejtohet nga Isa Mustafa.

“Duhet të presim vendimin e tyre”, ka përfunduar ish-deputeti i LVV’së, Besnik Bislimi.

LDK’ja sot pritet që ta nominojë për kryeministre Vjosa Osmanin, ndërkohë pritet të shihet nëse në mbledhjen e sotme do të marrin pjesë Lutfi Haziri e Agim Veliu, të cilët bojkotuan mbledhjen e Kryesisë që u mbajt të shtunën e javës që shkoi.

Posti i kryeministrit deri tani ka qenë e vetmja pikë ndarëse ndërmjet LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Nga partia e Isa Mustafës janë të vendosur që të mos lëshojnë pe sa i përket karriges së kryetarit të Qeverisë dhe kanë deklaruar se do të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

Pritet të shihet në vazhdimësi se si do të rrjedhin gjërat, dhe nëse dy partitë do të gjejnë gjuhë të përbashkët për të lidhur një koalicion eventual parazgjedhor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here